Receta e Turlisë Tradicionale nga Marjana Kondi – Shije dhe Aromë në Tyrezë

750 0

Nëse është fjala për receta tradicionale me siguri shumë prej jush i rendisin ato si ndër më të preferuarat e kuzhinës.

Kjo si për familjarët që i konsumojnë, por edhe për nënat dhe gjyshet të cilat i gatuajnë me shumë lehtësi.

Aq më të preferuara bëhen kur, sugjerime të këtyre recetave vijnë nga personazhe shumë të dashur të ekranit.

Në recetën e sotme AgroWeb.org ju sjell një version të turlisë të shpjeguar nga aktorja e njohur Marjana Kondi.

Këtë pasion për gatimin ajo e ka shfaqur edhe në television së fundmi, në emisionin Aromë Dreke bashkë me kuzhinierin Arvin Kita.

Ajo shprehet se pasionin për gatimin e ka nisur vonë, në moshën 42 vjeçare dhe që pas martese gatuan gjithnjë në shtëpi.

“Shpesh teksa gatuaj përsëris edhe tekstet e ndonjë seknari që mund të kem për të mësuar” -shpjegon ajo.

Duket se për prezantimin e saj të parë në një emission gatimi, Marjana Kondi ka zgjedhur recetën shumë tradicionale, por të pazëvëndëseshme të turlisë të cilën e ndiqni më poshtë.

Përbërësit

100 gr mish i grirë

2 domate

1 patate

1 karrotë

2 kungulleshka

1 speca i kuq

1 spec jeshil

gjysmë patëllxhani

1 selino

3-4 thelpinj hudhër

2-3 gjethe dafine

majdanoz

kopër

kripë

piper i zi

100 gr djathë i bardhë si shoqërues

Përgatitja

Këtë recetë aktorja Kondi e nis me pastrimin dhe larjen e të gjitha perimeve të përzgjedhura.

Si fillim qëroni pataten dhe vendosini në një enë me ujë, më pas qëroni karotën dhe po ashtu vendosini tek ena.

Pastroni specat nga farat që ndodhen brenda tyre, qëroni qepën, kungulleshkat, selinonë dhe patëllxhanin.

Bëni kujdes që patëllxhanin ta fusni në një enë të veçantë me pak ujë me kripë, në mënyrë që t’i largoni shijen e hidhur.

Të gjitha perimet e tjera bashkë me domatet, vendosini në një enë të thellë dhe lajini me ujë të bollshëm.

Më pas në një tavolinë pune, grirni hollë qepën, kalojeni atë në një tigan të thellë që të skuqet derisa të marrë ngjyrë.

Shtoni mishin e grirë, përzieni me anë të një luge druri, duke shtuar edhe thelpinjtë e hudhrës.

Kaurdisini mirë të gjithë përbërësit, derisa mishi të fillojë të marrë ngjyrë, më pas shtoni në tigan karrotën e prerë në rrathë.

Aktorja ju këshillon që të shtoni gjithnjë të parat perimet e forta, në mënyrë që të gatuhen për një kohë më të gjatë e të zbuten gradualisht.

Shtoni dhe patatet e prera në kubikë, bashkë me specat, kungulleshkat, domatet e prera, selinonë, koprën dhe majdanozin.

Përziejini mirë të gjithë përbërësit dhe në fund nxirrni patëllxhanin nga uji me kripë, priteni në kubikë dhe shtojeni tek tigani që po zien.

Në fund shtoni kripën, pak piper të zi dhe rreht 50 ml ujë në mënyrë që perimet të ziejnë plotësisht.

Para se ta hiqni nga zjarri, shtoni dhe 2-3 gjethe dafine, më pas zgjidhni tavën e pjekjes.

Për pjekjen

Shtoni perimet tuaja tek tava duke i shtruar me kujdes dhe duke i hedhur pak vaj ulliri.

Futeni tavën në furrë dhe lëreni të piqet për 25-30 minuta në temperaturën 180 gradë.

Kur turlia të jetë gati nxirreni nga furra, lëreni të ftohet pak dhe shoqërojeni gjithnjë me djathë të bardhë sipas shijes së Marjana Kondit./AgroWeb.org